Kronikë

“Bujtina” e seksit në Durrës, kamarieret bënin dhe prostitutën

Një “çerdhe” e re prostitucioni është zbuluar në qytetin bregdetar të Durrësit, ku një lokal në Sukth veç menysë së përditshme, shërbente për klientët edhe prostitucionin. Pas dy muaj hetimesh, policia ka zbardhur dhe skemën me të cilën funksiononte ky lokal, një shtëpi publike e palicencuar, shkruan Shekulli. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit P. B., dhe S. G., në lokalin e tyre në Sukth, kishin punësuar femra si kameriere, të cilat i ndërmjetësonin ato me qëllim për të kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës 2000-3000 lekë, me klientë të këtij lokali.

Vajzat shërbenin jo vetëm brenda lokalit, por përdoreshin dhe në funksion të hoteleve të tjera që kërkonin shërbim të kësaj natyre. Shërbimi i tyre kryhej fare thjesht. Klienti pasi konsumonte pijet dhe ushqimin në lokal, porosiste dhe vajzën e seksit e cila e shoqëronte drejt dhomës së hotelit. Natyrisht që vajzat ishin të mbrojtura nga tutorët e tyre. Klientët kishin mundësi që të shërbeheshin me prostituta dhe me çmimin më të ulët, i cili varionte nga 2000-3000 lekë. Kjo e kishte bërë të frekuentuar këtë lokal për specialitetet e veçanta që servirte. Policia ka arrestuar 4 persona, dy pronarët si dhe një vajzë që ushtronte prostitucion si dhe një klient.

Më konkretisht në pranga kanë rënë shtetasit P. B., 66 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, tutor, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, S. G., 60 vjeçe, banuese në Sukth i Ri, Durrës (tutore ), B. S., 34 vjeçe, banuese në Durrës (është kapur në flagrancë në një hotel afër lokalit së bashku me klientin me iniciale P. L., e dënuar më parë për veprën penale “Prostitucion”) ,P. L. 43 vjeç, banues në Rromanat (klient).

Vetëm disa muaj më parë u zbulua një tjetër rrjet prostitucioni në Durrës. Ky rrjet operonte kryesisht në zonën e bregdetit të Shkëmbit të Kavajës, ku klientëve të huaj ju servireshin prostituta të llojit “eskortë”, me pagesa që shkonin mesatarisht nga 50-100 euro për një takim, por në raste të veçanta shifrat mund të ishin shumë më të larta. Vajza të reja me pamje të hijshme fizike ishin klientet e të huajve dhe personave të mundshëm VIP, në disa prej hoteleve të bregdetit të Shkëmbit të Kavajës në Durrës.

Përmes një organizimi që niste me shërbimet ndaj vajzave, njoftimin e tyre për klientin e radhës, marrja me taksi, shoqërimi në hotel, shërbimi ndaj klientit, fjetja dhe më pas shoqërimi ishte skema e këtij trafiku të niveleve të larta, përsa i përket organizimit dhe vlerave monetare. Në lidhje me këtë çështje në atë kohë policia procedoi penalisht 12 shtetas prej të cilëve 5 u arrestuan. Këta shtetas gjenin klientët, të cilët më pas nëpërmjet taksistëve, ua dërgonin në hotele në plazh si edhe në banesat private të personave të mësipërm, kundrejt pagesës 50-100 €. Duhet theksuar fakti se më afrimin e sezonit turistik rritet dhe tentativa e skemave të prostitucionit.