Kronikë

Bastisje të reja në veri për rastin e Banjskës

Policia e Kosovës ka nisur edhe një aksion në veri të vendit, në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e Banjskës.

Siç ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, aksioni po zhvillohet në të katër komunat.

Në këtë aksion bastisje janë kryer në një ndërtesë te “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicën e Veriut.

Image

Përveç në Mitrovicën e Veriut, Elshani ka thënë se bastisje janë kryer edhe në komunën e Zveçanit në banesën e njërit nga të plagosurit, që ishte pjesë e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës, e i cili gjendet në paraburgim.

Elshani ka konfirmuar se bastisje janë kryer në tetë lokacione. Ai e ka cilësuar të qetë, por delikate situatën në veri të Kosovës.

Aksioni i Policisë ka përfunduar dhe nuk janë dhënë detaje të tjera.

Tashmë në disa aksione Policia ka kapur arsenal armësh në veri, që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator.

Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh vrau policin Afrim Bunjaku në këtë fshat të Zveçanit. Në aksionin pasues të Policisë, u vranë tre sulmues, ndërsa pjesa më e madhe e grupit arriti të ikte.

Kosova ka akuzuar Serbinë si shtet për përfshirje në këtë sulm terrorist, pas publikimit të dëshmive se grupi ka kryer ushtrime brenda territorit të Serbisë dhe arsenalit multimilionësh të armëve, të kapura.