Kronikë

Dy zyrtarë të MINT-it e një biznesmen arrestohen nën dyshimet për dallavere me rezerva shtetërore

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe një biznesmen janë arrestuar nën dyshime për dallavere me rezervat shtetërore.

Ata janë arrestuar të premten në një aksion të Policisë që është zhvilluar në tri lokacione.

Të arrestuarit janë drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.

Policia gjatë aksionit ka konfiskuar dokumente e kompjuterë në zyrat e MINT-it.

Gjithashtu është arrestuar edhe afaristi Ridvan Muharremi njëri nga personat e dyshuar në këtë rast.

Image
Arrestimi i Ridvan Muharremit - Foto: Alban Bujari - KOHA

Tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe sipas Prokurorisë Speciale dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare’’ dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Bastisje janë zhvilluar në objektin e MINT-it si dhe në banesën dhe një lokal të Muharremit.

Aksioni është zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga gazeta “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit.

Aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit.

VIDEO: Momenti i arrestimit të Ridvan Muharremit

Image

Lidhur me bastisjet para arrestimit të Muharremit ka folur avokati i tij, Mahmut Halimi.

“Kemi ende punë edhe pak. Ende nuk kemi flet arrest. Normal është pronar i banesës, pa të nuk kryhet bastisja. Normal i ka dorëzuar të gjitha materialet që i kemi përgatitur me kohë, jemi përgatitur për të vërtetën”, ka theksuar Halimi në një deklarim para mediave në vendin ku po zhvillohet bastisja.

Sipas tij klienti i tij nuk ka lidhje me publikimet.

“Pse bash zotëri Ridvan kur s’ka lidhje me gjitha ato punë të cilat i janë publikuar përmes portalit të Berat Buzhalës. As një pozitë nuk e ka, as një pozitë nuk e ka. Nuk është përzier do të njoftohet opinioni për të gjitha. Po i lirë është, jemi ende duke i kryer procedurat e bastisjes, janë disa rregulla për të cilat më vonë do të jeni të njoftuar. Po ka me u ftuar me siguri ne kemi kërkuar. S’ka flet arrest”, ka theksuar Halimi.

VIDEO- Deklarata e avokatit:

 

{gallery}