Aksion në veri

Bastisje në barnatoret në Leposaviq, u jepet një muaj kohë për të siguruar leje pune

barna

FOTO: Ilustrim

Policia dhe Dogana e Kosovës të martën ka realizuar bastisje në disa barnatore në komunën e Leposaviqit lidhur me dyshimet për kontrabandë me barna, ndërsa u ka dhënë një muaj kohë barnatoreve që të sigurojnë leje pune.

Siç raporton “Kossev”, autoritetet e Kosovës kanë sekuestruar produkte farmaceutike nga tre barnatore dhe një pikë derivatesh.

Të tre barnatoret e kontrolluara ishin si biznese të regjistruara, por pa leje pune.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se barnatoret nuk janë mbyllur.

“Sot, inspektorët u dhanë atyre një muaj kohë për të marrë lejen e punës për të vazhduar punën”, ka thënë Elshani.

Malli i sekuestruar ka qenë pa dokumentacion të origjinës.  

Në një pikë derivatesh gjithashtu u konfiskuan produkte farmaceutike, për të cilat Elshani ka thënë se nuk mund të shiteshin në një vend të tillë.

Në pikën e derivateve u sekuestruan edhe pije alkoolike, cigare, si dhe mallra të tjera, të cilat Dogana i ka konstatuar si të padeklaruara.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës ka nxitur reagim nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Serbi, e cila ka thënë se synimi i vetëm i Kosovës është që t’i lë banorët e veriut pa barna.