Lodra shumëngjyrëshe prej pelushi shihen të shpërndara nëpër oborrin e parrethuar të shtëpisë njëkatëshe me dritare të bardha plastike. Një grumbull i madh zhavorri ndodhet në anën e majtë, me gjasë për t’u përdorur për meremetimin e shtëpisë që ende është pa fasadë. Ngjitur për murin me tulla të kuqe, skaj derës së hyrjes, janë të palosura në radhë këpucë fëmijësh e të rriturish.
Në shikim të parë, duket se banorët e saj janë mbyllur brenda dhe po merren me aktivitetet e përditshme. Dera e hyrjes është e mbyllur dhe as pas disa trokitjesh nuk e hap askush. Që nga e shtuna, jeta në këtë shtëpi ka pushuar. Dëshmi janë gjurmët e gjakut në tepihun e dhomës së ndejës që shihen nga dritarja gjysmë e hapur. Shtëpia nuk është e rrethuar me shirita të verdhë të policisë, por të shtunën aty ndodhi një krim.
Shtëpia e Nuhi Marocës (42-vjeçar) që gjendet në thellësi të fshatit Berivojcë të Komunës së Kamenicës, larg shtëpive të tjera të fshatit, ishte ndërtuar në vitin 2017 nga një organizatë bamirëse. Njerëz humanitarë kishin mbledhur fonde për njeriun e varfër, i cili kishte bashkëshorten dhe një fëmijë, por jetonin në kushte të rënda banimi. Jeta në shtëpinë e re u solli çiftit Maroca edhe dy fëmijë të tjerë, por jo edhe qetësinë e harmoninë familjare.
Tre vjet më vonë, më 25 korrik 2020, pas një grindjeje Nuhiu dyshohet se vrau bashkëshorten e tij Sabilen 34-vjeçare, duke e goditur me një shufër metalike në kokë. Ndonëse aty u krye një krim, prona dhe shtëpia e familjes Maroca nuk është rrethuar nga shiritat e policisë për të sinjalizuar se është e ndaluar të hyjë dikush në atë hapësirë. Rreth 300 metra larg shtëpisë shiheshin disa fermerë tek punonin tokën.
Ata tregojnë se në ditën kritike, gjersa punonin në arat e tyre kishin parë fëmijët e Nuhiut të luanin në oborr, si edhe çiftin tek hynin e dilnin nga shtëpia. Thonë se pasi ishin një fshat multietnik i përzier me shqiptarë dhe serbë e përshëndesnin njëri-tjetrin. “Vërtet një tragjedi e madhe kjo që ka ndodhë. Atë person e kam parë, por vetëm jemi përshëndetë ndonjëherë. Kam parë fëmijët e vet të cilët luanin në oborr. Ai ecte në drejtimin e vet, kurse ne në drejtimin tonë”, tregon bujku serb.
