Kronikë

Arsenijeviq arrestohet e më pas lirohet, iu shqiptua tiketë për moszbatim të urdhrit

Aleksandar Arsenijeviq

Politikani serb në veri, Aleksandar Arsenijeviq, është arrestuar e më pas është liruar nga Policia e Kosovës pasi s’ka zbatuar urdhrin policor.

Shefi i Njësisë Operative të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Petrit Fejza, i ka thënë KOHËS të dielën se atij i është shqiptuar një tiketë.

“Po është dërguar në stacionin policor, iu ka shqiptuar një tiketë dhe më pas është liruar”, ka thënë Fejza.

Arsenijeviq ka publikuar një video në llogarinë e tij në Facebook ku shihet duke u ndaluar nga Policia, derisa fishkëllente me bilbil.

Ai e lidhi arrestimin e tij me vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Mitrovicë.

"Kur vjen Kurti, duhet të pastrohen rrugët nga serbët”, ka shkruar ai.