Një punonjës i KRU “Hidromorava” në Gjilan është dërguar në mbajtje për keqpërdorim të pozitës apo autoritetet zyrtar. Ai dyshohet se ia dha përgjigjet e testit me shkrim për konkursin për punësim një prej kandidatëve.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit me Prokurorinë Themelore Gjilan, gjatë zhvillimit të hetimeve kanë siguruar prova të besueshme lidhur me rastin, ka njoftuar Policia.
“Dyshohet se anëtarë të komisionit të kësaj kompanie, të caktuar për zhvillimin e procedurave të dy konkurseve për punësim, i kanë dhënë pyetjet-përgjigjet e testit me shkrim, duke e favorizuar njërin prej kandidatëve i cili të nesërmen do t’i nënshtrohej këtij testi me shkrim”, thuhet në njoftim.
Të martën, janë intervistuar anëtarët e komisionit në cilësinë e të dyshuarave në prezencën e avokatit sipas detyrës zyrtare dhe gjatë intervistave është kuptuar se i dyshuari V.M., ia kishte dhënë pyetjet e testit me shkrim paraprakisht një kandidati.
“Me këto veprime është krijuar dyshim i bazuar se i dyshuari V.M., (anëtar i komisionit) ka kryer veprën penale të ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtare’”, thuhet tutje.