Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë ka arrestuar një person, nën dyshimin për “vrasje të rëndë në tentativë”.
I arrestuari dyshohet se kishte vendosur mjet shpërthyes në një veturë në “Rrugën B” më 17 shkurt të këtij viti.
“Arrestimi i të dyshuarit; K. K, mashkull, 34 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, erdhi si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të specializuara operativo-policore, në kuadrin e procesit hetimor të këtij rasti. Përderisa policia po punon në mënyrë aktive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndaj të dyshuarit me autorizimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale "Vrasja e rëndë në Tentativë. I njëjti me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u dërgua në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.