Kronikë

Arrestohet një zyrtar i Komunës së Pejës për kanosje të drejtorit të Financave

Pejë, 23 dhjetor – Zyrtari i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, G.K., është arrestuar të mërkurën pasdite me dyshime se ka kanosur drejtorin e Financave, Jeton Abazaj.

Policia e Pejës e konfirmuar arrestimin e këtij zyrtari dhe siç tha zëdhënësi i Policisë në Pejë, i dyshuari është duke u intervistuar.

Për këtë rast, KOHA ka kontaktuar drejtorin e Financave, Jeton Abazaj, i cili ka thënë se kolegu i komunës, e ka kërcënuar dhe kanosur atë duke i thënë se ia jep një plumb në kokë.

Abazaj tregoi se këtë konflikt mes tyre e ka shkaktuar ndarja e disa pagesave për zjarrfikës, që ishin nga buxheti i ndarë nga Qeveria e Kosovës, për të cilat zyrtari i komunës G.K. ka pretenduar siç thotë Abazaj se i takojnë edhe atij.

“Ka qenë vendim i Qeverisë së Kosovës që zjarrfikësve me ju pagua nga 1 mijë e 58 euro në tërë Kosovën, për punë shtesë, punën jashtë orarit dhe rrezikshmëri në punë. Ato mjete janë ndarë nga qeveria. Ne komuna vetëm e kemi kryer punën teknike dhe kemi punuar listat. Pastaj ky është ankuar që edhe atë me përfshi në listë. Unë i kam thënë ti s’je zjarrfikës. Ti punon në administratë dhe nuk të takojnë. Për këtë punë ka nisur konflikti dhe pastaj e ka dërguar lëndën në prokurori”, tha Abazaj.

Sipas Abazajt, ai prapë është ankuar pse nuk është përfshirë në atë pagesë.

“Sot pasdite rreth orës 13.20 erdh në zyre edhe më thotë mi dhënë llogari pse nuk është përfshi në atë pako. I thash lëndën e ke dërguar në prokurori dhe dil jashtë zyrës. Nëse ki diçka shko në krime ekonomike e në prokurori, e mos u merr me mua më. Ai nuk dilte jashtë. Ia qela derën e i thash dil se kam punë, jam i ngarkuar më punë. Pastaj doli e kur doli në korridor me tha more hajn, dhe e qoi dorën në brez kinse ka armë, nuk e di a ka pas a jo, e më tha ta jepi plumb në kokë. Pastaj ndërhynë në mes disa kolegët të punës dhe pastaj kam njoftuar policinë”, rrëfen Abazaj ndodhin e sotme mes tyre në objektin e komunës.

Arrestimin e zyrtarit të Komunës së Pejës, me dyshime për kanosje, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. Nikçi, tha se pas përfundimit të intervistimeve nga policia, i dyshuari, me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë për kanosje të personit zyrtarë.