Kronikë

Arrestohet një polic për dhunë në familje, IPK rekomandon suspendimin e tij

Policia

Foto: Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar dhe rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor për kryerje të veprës penale “Dhunë në familje”. 

IPK ka njoftuar se ka marrë një ankesë nga një qytetare e Gjilanit e cila ka thënë se zyrtari policor, i fejuari i saj, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. 

“Pas pranimit të këtyre informacioneve, bazuar në veprimet hetimore paraprake të realizuara dhe nga dëshmitë e mbledhura nga hetuesit e IPK-së është siguruar një bazë e dyshimit të arsyeshëm se zyrtari policor i përfshirë si i dyshuar në këtë rast ka përdorur dhunë dhe kërcënime ndaj ankueses”, thuhet në njoftim.

Zyrtari i dyshuar është ndaluar për 48 orë. 

“Në kuadër të veprimeve të natyrës administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet tutje.