Një burrë është arrestuar në Viti të shtunën nën dyshimin se ka publikuar në një grup në rrjete sociale disa fotografi të natyrës eksplicite të një gruaje.
Sipas raportit policor të Kosovës, rasti ishte iniciuar më 29 prill.
Burri dyshohet se fotografitë i kishte bërë gjatë bisedës me viktimën në rrjete sociale.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti është cilësuar si “fotografim dhe video-incizim tjetër i paautorizuar”.
Rastet e publikimit të përmbajtjeve eksplicite në rrjete sociale janë shtuar muajve të fundit.
Në mes të prillit, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi masën e paraburgimit prej një muaji administratorit të grupit në Telegram “Albkings”, nëpërmjet të cilit ishin shpërndarë të dhëna personale të grave, si dhe fotografi e videoxhirime eksplicite të tyre. Prokuroria ka apeluar që të gjitha të dëmtuarat të paraqiten në stacionet policore.