Kronikë

Arrestohet një person në veri nën dyshimin se vendosi stikersa me foto të terroristëve të Banjskës

Stikersat

Një person është arrestuar në Mitrovicën e Veriut pasi është kapur në flagrancë teksa vendoste stikersa në lokacione të ndryshme, duke përfshirë edhe foton e terroristit të vrarë Stefan Nedelkoviq, pjesë e grupit të kriminelit Milan Radojçiq që organizoi sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit të kaluar. 

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, ka thënë se arrestimi i të dyshuarit është bërë rreth orës 01:00.

“Mbrëmë rreth orës 01.00 në mëngjes, një person është hasur duke ngjitur disa pamflete që pas verifikimit ka sjellë deri tek inicimi i rastit nxitje e urrejtjes. Ky person me urdhër të prokurorit është ndaluar dhe deri tani janë identifikuar edhe katër persona të tjerë, tre nga ta janë intervistuar”, ka thënë Elshani.

Ai ka bërë të ditur se janë gjetur prova materiale që e mbështesin veprën nxitje e urrejtjes dhe momentalisht janë duke punuar në drejtim të asaj që të intervistohet edhe personi i pestë në lidhje me këtë rast.

“Përpos personit të parë që është arrestuar, tre të tjerët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt. Të gjithë personat e identifikuar apo të intervistuar (duke përfshirë edhe të ndaluarin) janë të mitur”, ka përfunduar Elshani.