Kronikë

Dhunohet një e mitur në Ferizaj

Policia e Kosovës

(Përditësuar: 12:15) - Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi se viktima që dyshohet se u dhunua nga një i dyshuar është e mitur.

Me rastin po merret Departamenti për të Mitur, ku njoftoi se viktima është rreth moshës 14-16-vjeçare, e i pandehuri është me inicialet E.H.

Rasti është iniciuar si “dhunim”.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, në koordinim me Policinë e Kosovës, është ndaluar i pandehuri me inicialet E.H. Prokurori i Shtetit njofton se i pandehuri E.H. është ndaluar në lidhje me rastin e dhunimit të një të miture të moshës 14-16 vjeçare në Ferizaj, për dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Dhunimi’, sipas nenit 227, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.

Prokurori do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.


Arrestohet një person në Ferizaj, dyshohet për dhunimin e një gruaje

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Ferizaj pasi dyshohet se ka dhunuar një grua.

Sipas njoftimit, vepra penale është kryer gjatë janarit, e i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Rastin e ka raportuar në Polici viktima, derisa s’janë dhënë më tepër detaje.

“Është raportuar se viktima femër kosovare është dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin policor.