Kronikë

Arrestohet një i dyshuar për fajde në Prizren

Arrestohet

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën ka arrestuar një të dyshuar për fajde në Prizren. 

I dyshuari thuhet se është 32-vjeçar dhe përveç veprës penale “fajde”, dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”

“Me datën 09.12 2024, Sektorin Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim me Drejtorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, kanë realizuar një operacionit policor për arrestimin e të dyshuarit F.Sh. (viti i lindjes 1992, mashkull kosovar) me dyshimin për përfshirjen e të njëjtit në veprën penale ‘Fajde’ nga neni 331 dhe ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’ nga neni 294 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë

Gjatë operacionit thuhet se është kontrolluar edhe shtëpia dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit ku theksohet se janë sekuestruar dëshmi që kenë lidhje me rastin. 

Pas arrestimit i dyshuari thuhet se është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Arrestohet në flagrancë duke marrë fajde, vlera kishte arritur mbi 81 mijë €

4 muaj më parë / 10 dhj 2024 15:24
arrestohet

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje për rastin ku një person u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale “fajde” dhe “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. 

F.Sh. thuhet se është arrestuar në flagrancë të hënë duke pranuar të holla nga viktima A.Z. në emër të kamatave të paligjshme me të cilat e kishte ngarkuar.

“I pandehuri i arrestuar, nga muaji Shtator i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, deri në datën e arrestimit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të dëmtuar, varfërinë dhe papërvojën e tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari – viktima, A.Z., nuk kishte pasur mundësi t’ia kthejë një borxh në shumën prej 70,000.00 €, të cilin borxh i detyrohej të pandehurit F.Sh., pasi që ky i fundit gjatë muajit Janar të vitit 2024, përmes një programi elektronik të lojërave të fatit, i kishte mundësuar të dëmtuarit të luaj bixhoz të paligjshëm, ashtu që në momentin kur viktima kishte hasur në vështirësi që t’ia paguajë borxhin, i pandehuri arrin ta bindë viktimën që në emrin e tij do të angazhohet dhe t’ia sigurojë paratë, në mënyrë që t’ia krijojë kushtet të njëjtit për kthimin e borxhit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 

Vlera e tërësishme e kamatës së paligjshëm thuhet se kishte arritur në 81 mijë e 400 euro.

Në këtë rast i pandehuri i arrestuar, i ofron viktimës para me fajde – me kamata të paligjshme fillimisht prej 15% pastaj 20% e deri në 25%, kështu duke i shkaktuar viktimës dëm të konsiderueshëm pasuror, i cili nuk kishte arritur t’ia paguajë shumën e mbetur të kamatës, gjegjësisht totalin e kamatës nga të gjitha huazimet e të hollave me fajde, që nga periudha e muajit shtator të vitit 2023, e cila kap vlerën e përgjithshme prej 81,400.00 €”, thuhet në njoftim.

I pandehuri i arrestuar thuhet se gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe për të njëjtin, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.