Një person është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kultivim të rreth 3 mijë kilogramëve narkotikë në fshatin Sfërkë të Klinës.
Siç ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, i dyshuari është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë.
“Është ndaluar një person në Vërmicë, i cili dyshohet për kultivim të narkotikëve, Bëhet fjalë për kultivimin e rreth 3 mijë kilogramëve narkotikë në fshatin Sfërkë dhe të sekuestruar nga Prokuroria e Pejës. I njëjti pas arrestimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, ndërkaq brenda afatit ligjor prokurori i shtetit është duke e përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Nikçi për KOHËN.
Në fund të shtatorit, Prokuroria e Pejës pati zhvilluar aksion në fshatin Sfërkë në dy parcela, me sipërfaqe prej mbi një hektar. Aty ishte kultivuar droga e llojit marihuanë. Atë kohë ishte arrestuar një shtetas i Shqipërisë, në cilësinë e punëtorit apo organizatorit. Ishte thënë se janë edhe disa të dyshuar të tjerë.
Vlera e narkotikëve të kapur konsiderohej rreth 5 milionë euro.
Prokuroria Themelore në Pejë e pati kualifikuar këtë aksion si një prej më të mëdhenjve anti-drogë të ndërmarrë në Kosovë që nga paslufta.