Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Një shtetas i Kosovës, F.S., është arrestuar për “Spiunazh” me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Arrestimi është kryer në pikën kufitare në Merdare, në territorin e Komunës së Podujevës, pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga autoritetet kompetente.

Sipas autoriteteve, Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

Institucionet kanë riafirmuar përkushtimin për luftimin dhe ndjekjen penale të veprimtarive të kundërligjshme, si dhe për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në veprimtari të tilla, veçanërisht në rastet që mund të cenojnë sigurinë kombëtare.

Ndalohet për 48 orë arsimtari nga Dragashi i dyshuar për spiunazh

2 d. më parë / 13 gus 2026 14:18
arrestim - pranga

Foto: Ilustrim

Është ndaluar për 48 orë Fehim Sali, i cili u arrestua sot (e enjte) për spiunazh.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme në vlerë prej 39 mijë e 500 eurosh, 500 denarë, katër telefona celularë si dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.

Prokuroria, brenda afatit të përcaktuar ligjor, ka njoftuar se do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sali dyshohet se ka bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA) për një periudhë të gjatë, ka mësuar KOHA me burime.

May be an image of money and text

Arsimtari i arrestuar për spiunazh dyshohet për bashkëpunim me BIA-n

3 d. më parë / 13 gus 2026 09:59
Merdar arrestim

Shtetasi i Kosovës, Fehim Sali, i cili u arrestua sot në Merdar, dyshohet se ka bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA) për një periudhë të gjatë, ka mësuar KOHA me burime.

E Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka raportuar se i dyshuar ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me zyrtarin e BIA-s, Zelmir Matoviq.

I dyshuari punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit.

Po ashtu, siç raporton RTK-ja, dyshohet se më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes. Gjithashtu dyshohet se është marrë edhe me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe dhe se është angazhuar në grumbullimin e votave për mbështetësit e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

KOHA ka kontaktuar me Prokurorinë Speciale për t’i konfirmuar këto informacione. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet. 

Ndërkaq në mars të vitit 2021, KOHA pati raportuar se Fehim Sali ishte suspenduar nga puna e tij si mësues në shkollën fillore “9 Maji”, në sistemin paralel, në fshatin Rapçë të Dragashit, pasi kishte shpallur kandidaturën në listën e subjektit goran “ Zajeno”. Siç kishte deklaruar Sali, ai kishte marrë kërcënime dhe ishte përballur me presion nga subjekti tjetër goran, JGP, që, sipas tij, gëzonte mbështetje të strukturave paralele në Dragash, si dhe të Listës Serbe. Lidhur me rastin ai e kishte përmendur edhe emrin e ish-deputetës së Listës Serbe, Jasmina Dediq.

Sali ishte kthyer më pas në punë, ndërkaq KOHA pati marrë vesh që hetimi ishte mbyllur për shkak se Sali nuk kishte qenë i gatshëm të dëshmojë pas rikthimit në punë.