Operacioni policor i koduar "Promise” në Tiranë, ka vënë në pranga një 30-vjeçare nga Berati, nën dyshimin se duke i premtuar pasaportë të Sjqipërisë, i ka përvetësuar 16 mijë euro nga një qytetar i Kosovës.
"Gruaja nga Berati, dyshohet se me anë të mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara, ka përfituar shumën 16.000 euro nga një shtetas kosovar, me pretendimin se do t’ia kryente atij, procedurat për pajisjen me pasaportë shqiptare”, ka informuar të mërkurën policia e Tiranës.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se kjo shtetase, nëpërmjet mashtrimit, ka përfituar shuma të ndryshme monetare, nga shtetas të ndryshëm në Republikën e Shqipërisë.
Sipas njoftimit të policisë, po vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen edhe të bashkëpunëtorit të shtetases, V. G.
Rreth dy javë më parë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore(AMP) në Tiranë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për punonjësen pranë Zyrës së Shërbimit ndaj Qytetarëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, e cila është lënë në arrest shtëpie.
Nga hetimet ka rezultuar se E.H kishte kërkuar një shumë parash nga dy shqiptarë të Kosovës të cilët kishin aplikuar për të marrë shtetësinë shqiptare. Nga hetimet ka rezultuar se kjo punonjëse, duke shfrytëzuar atributet për shkak të funksionit organik, u ka kërkuar dhe marrë atyre një shumë parash, duke ua argumentuar si pagesë për tarifën e shërbimit, ndërkohë që sipas legjislacionit në fuqi për përfitimin e shtetësisë, kjo kategori është e përjashtuar nga pagesa.
Zyrtarët policorë në Tiranë kanë zvarritur shtetasit nga Kosova duke përdorur forma presioni ku atyre u kërkoheshin në mënyrë jo zyrtare dhe joligjore para nga 50-200 euro. Kjo tarifë në disa raste është paguar edhe në ambientet e brendshme të policisë së shtetit, ku kamerat e sigurisë kanë filmuar këtë skemë.
Në bazë të ligjeve në fuqi në Shqipëri, pasaporta shqiptare apo shtetësia me natyralizim në saje të origjinës merret pa ndonjë tarifë teksa tërhiqet pasaporta shqiptare e miratuar me dekretin e presidentit. Shtetasi që merr pasaportën vetëm vendos nënshkrimin dhe i merren shenjat e gishtërinjve, para se pasaporta të bëhet pronë e tij.