Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet në Suedi, në Kosovë i konfiskohen pasuritë e fituara përmes veprimtarive kriminale

Prokuroria Speciale

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se pas një bashkëpunim ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave një person është arrestuar në Suedi. 

Sipas njoftimit, si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Prokuroria Speciale e Kosovës, është arrestuar personi me inicialet A.G., ndërsa atij i janë konfiskuar pasuritë e fituara përmes veprimtarive kriminale.

Sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, rasti përbën precedentin e parë kur autoritetet suedeze kanë arritur të sekuestrojnë pasuri jashtë juridiksionit të tyre territorial.

Tutje, bëhet e ditur se Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet suedeze, do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për ekzekutimin përfundimtar të vendimit për konfiskimin e pasurive në Kosovë.

Në njoftim theksohet se ky rast dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht në identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga aktivitetet kriminale, pavarësisht se ku ndodhen ato.

Në njoftim nuk është bërë e ditur lidhja e personit të arrestuar me shtetin e Kosovës.