Kronikë

Arrestohet në Kosovë një shtetas i Shqipërisë i dënuar për rrëmbim e zhdukje të një person

Arrestim

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Shqipërisë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për rrëmbim e zhdukje të një personi.

Policia ka thënë se Aldo Majnisha 29-vjeçar është kapur nga autoritetet kosovare, ndërsa ai kishte paraqitur dokumentet e një shtetasi tjetër.

“Ky shtetas, në momentin e kapjes, ka paraqitur pranë autoriteteve kosovare, dokumentet e një shtetasi tjetër. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me këto autoritete, janë kryer një sërë verifikimesh nga të cilat ka rezultuar se shtetasi i kapur gjatë operacionit ishte Aldo Majnishta. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar 29-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës””, thuhet nga Policia e Shqipërisë.

Shtetasi i Shqipërisë është konstatuar se ishte një ndër organizatorët për rrëmbimin e zhdukjen e J.P. Majnishta pritet të ekstradohet në Shqipëri.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është njëri nga organizatorët e rrëmbimit dhe zhdukjes së shtetasit J. P. Gjithashtu, këtë shtetas Gjykata e Apelit të Shkodrës, në vitin 2016, e ka dënuar me 3 vjet burgim (nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 2 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë burgim), për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor ", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Largimi nga vendi i aksidentit”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.