Është arrestuar në Gjermani një person, i cili dyshohet se e ka sulmuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, në gusht të këtij viti.
Bajram Krasniqi, nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, i ka thënë KTV-së se personi me inicialet B.A. është lokalizuar dhe arrestuar në Gjermani, nga departamenti i cili ka bashkëpunuar me Policinë e Kosovës në këtë drejtim.
Krasniqi ka thënë se Policia e Kosovës e kishte lëshuar urdhrin për kërkimin e këtij personi në Europol, ndërsa është lokalizuar në Gjermani. Krasniqi nuk ka dhënë më shumë detaje nëse i arrestuari është shtetas i Gjermanisë apo ka ikur atje pas sulmit ndaj Sokol Zogajt.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues u sulmua para banesës në mëngjes kur po shkonte në punë.