Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se është arrestuar në flagrancë personi me inicialet Z.V., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “fajdeja”, “detyrimi”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë i dyshuari nga data 01.03.2025 deri me datë 19.03.2025 në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), siç thuhet, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit E.H..
Sipas njoftimit i dëmtuari me datë 01.03.2025 kishte huazuar nga i pandehuri një shumë të caktuar parash, me afat të kthimit prej tre-katër ditësh.
“I dëmtuari duke qenë në gjendje të rëndë financiare, nuk kishte arritur t’ia kthejë shumën e parave, duke kërkuar nga i pandehuri edhe dy ditë shtesë për kthimin e borxhit, ku i dëmtuari pas një jave ia kthen të hollat duke ia dhënë të dëmtuarit shumën e caktuar në emër të kamatës. Pastaj, i pandehuri pas një jave, në vazhdimësi përmes rrjeteve sociale, i bënë presione të vazhdueshme të dëmtuarit, duke e kanosur me qëllim të detyrimit të të dëmtuarit që të veproj në dëm të pasurisë së tij, duke i kërkuar shuma të tjera të parave në emër të kamatës. I pandehuri me datë 20.03.2025 takohet me të dëmtuarin nga i cili pranon shumën e caktuar në emër të kamatës, dhe arrestohet në flagrancë nga policia”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Për të pandehurin e arrestuar, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.