Kronikë

Arrestohet në Durrës i arratisuri nga Qendra Korrektuese e Lipjanit

Operacioni policor “arratia” ka bërë të mundur arrestimin e një 20-vjeçari nga Prishtina. Riad Sopjani është arrestuar nga policia në Durrës, me qëllim ekstradimi drejt Kosovës pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, për disa vepra të ndryshme penale. Riad Sopjani ka qenë i dënuar më parë në Kosovë, për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore dhe është arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, në tetor 2020, pa arritur që të kapet nga Policia e Kosovës.

Policia e kishte shpallur Sopjanin në kërkim ndërkombëtar. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku ai strehohej në Durrës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ILECU Kosovë, pasi është i kërkuar në nivel vendor në Kosovë dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë në Durrës u bë arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimin në shtetin e Kosovës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.

Me 6 nëntor të vitit 2012, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes ish-ministrave të Drejtësisë, Eduard Halimi e Hajredin Kuçi, nënshkruan marrëveshjen për “esktradimet”. Kjo marrëveshje u ratifikua nga parlamenti i Shqipërisë në shkurt të vitit 2013 duke u shndërruar në ligj. Në bazë të nenit 1 të ligjit nr. 2/2013, palët marrin përsipër të dorëzojnë te njëra-tjetra, sipas dispozitave dhe kushteve të përcaktuara në këtë Marrëveshje, të gjithë personat kundër, të cilëve autoritetet kompetente të palës kërkuese kanë filluar procedurën gjyqësore për vepër penale ose që janë të kërkuar nga autoritetet e saj për ekzekutimin e një dënimi apo urdhërarresti.

Ekstradimi për veprat penale fiskale që kanë të bëjnë me taksat, tatimet dhe detyrimet doganore apo për vepra të tjera penale fiskale, lejohet ndërmjet palëve në përputhje me dispozitat e kësaj marrëveshjeje, nëse vepra penale parashikohet nga legjislacioni i të dyja palëve, pavarësisht emërtimit të saj ligjor.

Gjatë këtyre viteve si Shqipëria dhe Kosova kanë ekstraduar në vendet respektive shtetas të Republikës Kosovës që kanë kryer krime në Kosovë dhe janë strehuar në Shqipëri. Ndërkohë që edhe Kosova ka ekstraduar shtetasit e Shqipërisë që kanë kryer krime në këtë vend dhe janë fshehur në Kosovë.