Një kosovar 43-vjeçar me banim në Norvegji, është arrestuar nën dyshime se ka kryer mbi 30 vjedhje në filiale të bankave në Bavarinë Jugore, raporton “Berchtesgadener Anzeiger” të enjten.
I dyshuari është arrestuar në aeroportin e Vjenës, me urdhër-arrest të lëshuar nga Gjermania.
Në shumicën e vjedhjeve autorët kishin rezultuar të pasuksesshëm. Në total raportohet se vodhën një shumë gjashtëshifrore.
Autoritetet gjermane në fokus kanë pasur një shtetas norvegjez të moshës 43-vjeçare. Ai dyshohej se ishte përfshirë në së paku tri vjedhje të filialeve të bankave në Bavari Jugore dhe katër tjera në zonën Starnberg. Pas hetimeve u konstatua se i dyshuari po vepronte ndërkombëtarisht.
U lëshua një urdhër-arrest për kosovarin që jeton në Norvegji.
Më 24 janar kosovari po fluturonte nga Oslo për në Prishtinë, ndërsa ndalesën e kishte në Vjenë.
Gjatë kontrollit në aeroportin e Vjenës u vu re se ai po përdorte të dhëna të rreme personale dhe donte të fshihte identitetin. U konstatua se kishte urdhër-arrest në BE nga autoritetet gjermane. Ai u arrestua dhe është në pritje të ekstradimit në Gjermani.