Ish-shefi i Policisë në Dhërmi, Sokol Bode, i cili ishte shpallur në kërkim, është arrestuar gjatë mbrëmjes të së enjtes në Berat.
Forcat e Posaçme Operacionale kanë bërë të mundur arrestimin e Bodes, ndërsa pritet edhe transferimi i tij drejt Tiranës, ku do të vuajë edhe dënimin me burg, shkroi TCH.
Më 22 prill të këtij viti, Gjykata e Posaçme i dha dënimin me 12 vite burg, nën akuzën e trafikimit të drogës.
Emri i Bodes ishte në të njëjtën dosje me ish-ministrin Saimir Tahiri, por çështja ndaj tij u veçua për t’u gjykuar në mungesë.
Bodes i janë publikuar fotot ku ai shfaqet me vëllezërit Habilaj, dy prej të cilëve janë arrestuar nga drejtësia italiane pak kohë më parë për trafik droge.
Me 7 prill të 2017 ai ka marrë masë disiplinore nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe ka qenë në hetim edhe nga SHÇBA, pasi në njësinë administrative ‘Guri i Zi’ në Shkodër u zbulua një minisere ku u gjetën 87 kubikë kanabis. Përveç këtij për këtë rast kanë qenë në hetim edhe 4 punonjës të tjerë policie. /TCH