Kronikë

Arrestohet i dyshuari për vrasjen në Podujevë

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për vrasjen e së hënës në Podujevë.

Autoritetet policore i thanë KOHËS se i arrestuari me inicialet A.S., është ndaluar me urdhër të prokurorit.

Policia e Kosovës njoftoi në raportin 24-orësh se ka kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të arrestuarit, me ç’rast ka konfiskuar një pistoletë me katër karikatorë e 62 fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, 20 fishekë, dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja.

“Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e veprës së lartcekur bashkë me të dyshuarin i cili dyshohet se kishte kryer vrasjen dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.

KOHA ka mësuar se një i dyshuar tjetër është në arrati, e në moshë më i ri se i arrestuari. Dy të dyshuarit thuhet se kanë qenë në kontakt para kryerjes së veprës penale.

Mesditën e së hënës është vrarë me armë zjarri një person në sheshin “Zahir Pajaziti”, e një tjetër është plagosur.

KOHA ka mësuar se e plagosura është bashkëshortja e viktimës. Sipas dëshmitarëve, në momentin kritik viktimat kanë qenë me djalin e tyre rreth 4 vjeç.