Kronikë

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e djeshme në Prizren

Duart e lidhura me pranga, - arrestim

I dyshuari për vrasjen e së dielës në lagjen Arbana në Prizren, 51-vjeçari A.G., është arrestuar të hënën pasdite.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, e cila njoftoi se janë kryer dy bastisje, si dhe veprime të tjera për identifikimin dhe gjetjen e të dyshuarit.

“Për të dyshuarin A.G, mbrëmë i kemi bërë dy bastisje nuk kemi mundur ta gjejmë, i kemi dërguar nëpër pika kufitare informata personit të dyshuar dhe automjetit, i kemi dërguar të dhënat personale në Aeroportin ‘Adem Jashari’”, ka thënë ajo për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas raportit 24-orësh të Policisë, i dyshuari ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të viktimës nga automjeti në lëvizje dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes. Aty thuhet se i dyshuari dhe viktima kishin pasur një mosmarrëveshje e cila kishte sjellë deri te rasti tragjik.

“Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në raport.