Kronikë

Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmin në Ibër-Lepenc, në shtëpi i gjenden armë e municion

granata

Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur granata dore, armë e municion

Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën në mbrëmje ka arrestuar edhe një të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut. 

“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, me datën 01/12/2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”, thuhet në njoftim. 

Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur granata dore, armë e municion. 

“Në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, është zbatuar kontrolli në shtëpinë ku banonte i dyshuari, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale, si më poshtë: Katër granata dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës automatike AK-47, një karikatorë i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të Prokurorit përgjegjës të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit thuhet se i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve. 

Sipas policisë situata në veri është e qetë por e brishtë. 

“Situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht vlerësohet e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit, dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së”, thuhet në njoftim.

Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur granata dore, armë e municion