Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një 26-vjeçar në Ferizaj, i dyshuar për vjedhjen e mijëra funtave, një sasie ari dhe gjësendeve të tjera në shtëpinë e një gurbetqari, më 18 janar të këtij viti.
Sipas njoftimit të Policisë të shtunën, i dyshuari me iniciallet B.C., e ka pranuar se në bashkëkryerje me të dyshuar të tjerë të mitur, të cilët janë në paraburgim, e ka kryer vjedhjen.
“Nga hetimet e para është mësuar se nga personi/persona të panjohur nga dritarja e katit të parë kishin depërtuar me forcë brenda në shtëpi dhe sipas ankuesit, pronarit të shtëpisë, i cili ishte në Angli, nga aty ishin vjedhur para prej 36-37 mijë funta, 4-5 mijë euro dhe gjësende tjera. Pas një pune intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, mbledhjes së provave të nevojshme, hetuesit rajonal kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin : B.C (M/K) i moshës 26 vjeçar, të cilin e kanë shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar se në bashkëkryerje me dy të dyshuar tjerë, të mitur, të cilët janë në paraburgim për raste tjera, kanë kryer vjedhjen e rreth 40 mijë funtave angleze, një sasi të stolive të arit, një televizor dhe disa mjete pune”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.