Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se në një operacion të enjten ka arrestuar shoferin dhe konduktorin e autobusit të linjës Prishtinë – Tiranë si dhe dy tregtarë nga Shqipëria, nën dyshimin për kontrabandë me mallra.
Ata janë arrestuar në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, ku është edhe Stacioni i autobusit.
Në autobus gjatë kontrollit janë gjetur mallra që dyshohet se janë futur ilegalisht në Shqipëri nga Kosova.
U arrestuan 18-vjeçari nga Kosova, Y.F., konduktor dhe shoferi 31-vjeçar Sh.S. po ashtu nga Kosova, ndërsa në mesin e të arrestuarve janë edhe tiranas B.K. (53) dhe E.S. (32).
“Shërbimet e Policisë, në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, kanë lokalizuar dhe ndaluar autobusin me drejtues shtetasin Sh. S. dhe faturino shtetasin Y. F. Gjatë kontrollit në autobus u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, pa pullë fiskale, të cilat do t’i merrnin shtetasit B. K. dhe E. S. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedural”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.