Kronikë

Arrestohen katër të dyshuar në Gjakovë, tërhoqën para nga llogaria bankare e një personi

Paratë ATM

Katër persona janë arrestuar të enjten në Gjakovë me dyshimin se janë përfshirë në veprën penale “vjedhje e identitetit dhe kredencialeve”.

Sipas njoftimit, më 5 nëntor të këtij viti një qytetar ka raportuar në Polici se i janë tërhequr nga llogaria bankare 4.500 euro pa dijeninë e tij. Ekipi policor i krimeve kibernetike ka nisur hetimet, derisa pos të arrestuarve janë sekuestruar edhe dy telefona mobilë.

“Më datë 05.11.2024, një qytetar ka raportuar në polici se nga llogaria e tij bankare ishin tërhequr 4500 euro pa dijeninë e tij. Menjëherë pas këtij njoftimi, ekipi i krimeve kibernetike ka filluar hetimet intensive. Falë punës së palodhshme të hetuesve dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohen dhe të arrestohen katër persona të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy telefona mobil, për të cilët dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.

“Pas intervistimit të të dyshuarve dhe përfundimit të procedurave tjera policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre nga personat e arrestuar, janë ndalur në mbajtje”, thuhet tutje në njoftim.