Policia ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e katër serbëve “pelegrinë” të shtunën në Gjakovë, për të cilët Qeveria njoftoi se një prej tyre ishte toger i policisë së Serbisë dhe tjetri kapiten i ushtrisë së këtij vendi.
Në njoftimin e Policisë thuhet se gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së të dyshuarve që ishte me targa të Serbisë, janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë.
Rasti ka ndodhur të shtunën pasdite në rrugën ‘Gasper Karaqi’.
“Të dyshuarit në konsultim me prokurorin janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar të dielën në një takim lidhur me arrestimin e tyre.
Të arrestuarve u janë konfiskuar edhe disa gjëra për të cilat nuk janë dhënë detaje.
Këshilli i Sigurisë ka kërkuar që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë pas këtij rasti dhe atij të sulmit ndaj Postës në Zveçan.