Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy të dyshuar, njëri 22 -vjeçar e tjetri 20, pasi dyshohet se kanë rrëmbyer një person, e kanë sulmuar fizikisht dhe i kanë marrë veturën dhe telefonin.
Të dyshuarit thuhet se janë dërguar në mbajtje dhe dyshohen për veprat penale “privim i kundërligjshëm nga liria”, “lëndim trupor” dhe “vetëgjyqësi”.
“Rasti është raportuar me datën 12.11.2023, nga ankuesi (mashkull), i cili është rrëmbyer dhe dërguar në një lokacion, ku nën kërcënimin e armës është sulmuar fizikisht nga personat e dyshuar si dhe i janë marrë një veturë dhe një telefon. Personat e dyshuar: A.K, mashkull 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe A.P, mashkull 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
{gallery}
Lidhur me rastin janë kryer bastisje në tri lokacione, ku përveç provave që ndërlidhen me rastin thuhet se janë sekuestruar edhe një pushkë ajrore dhe një thikë.
Gjithashtu janë gjetur edhe telefoni dhe vetura, të cilat thuhet se i janë kthyer ankuesit.
Policia ka sekuestruar edhe automjetin e të dyshuarve i cili është i përfshirë në rast.
“Aktualisht hetuesit policor, janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar i cili është i identifikuar”, thuhet në njoftim.