Kronikë

Arrestohen dy të dyshuar për shitje të parave të falsifikuara përmes Tiktokut

Arrestim

Foto: Ilustrim

Dy persona janë arrestuar pasi dyshohet të kenë kryer veprën “mashtrim”.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arritur t’i identifikojë persona të cilët përmes rrjetit social “Tiktok”, kanë shitur para të falsifikuara.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se gjatë punës operativo - hetimore janë siguruar prova se të dyshuarit F.S. (1992), si dhe A.S. (1995) janë marrë me veprimtari kriminale ku kanë mashtruar dhjetëra persona, kinse do t’u shesin para të falsifikuara, mirëpo në anën tjetër i kanë mashtruar këta persona duke përfituar nga ta shuma të konsiderueshme të mjeteve materiale.

“Sot, me datën 09.08.2023, është zbatuar Plani Operativ përkatës ku hetuesit e S.H.K.E, në orët e mëngjesit kanë realizuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, për kontrollimin e shtëpisë së personit të dyshuar F.S. dhe njëkohësisht i dyshuari është arrestuar. Gjithashtu është arrestuar edhe personi i dyshuar A.S. për të cilin janë siguruar prova se ka bashkëpunuar me personin tjetër F.S. Me aktvendim të Prokurorit të lëndës nga Prokuroria Themelore në Gjilan është iniciuar rasti ‘Mashtrimi’ dhe dy të dyshuarit e lartcekur dërgohen në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.