Kronikë

Arrestohen dy persona pasi dyshohet se pasmesnate sulmuan një mjek në vendin e punës

Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar dy persona me inicialet I.O. dhe N.O., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë sulmuar personin zyrtar- mjekun S.F., në vendin e tij të punës, me ç’rast të njëjtit i kanë shkaktuar lëndime trupore.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 01:00 në Spitalin Regjional në Ferizaj- Qenda Emergjente”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të vendosë mbi masën e sigurisë së të pandehurit, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj mbetet e përkushtuar për luftimin e kriminalitetit, ngritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies”, përfundon njoftimi.