Dy ish-drejtues në Bashkinë e Tiranës, Redi Molla, i cili ka qenë në krye të shoqërisë rajonale “Ujësjellës-Kanalizime”, dhe Maringlen Qato, deri para disa kohësh në krye të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, u arrestuan të enjten me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri.
Ata dyshohen për korrupsion fshehje e mosdeklarim të pasurisë, raportoi “Zëri i Amerikës”.
Një urdhër i dytë arresti, është lëshuar dhe për Taulant Tushën, ish-drejtor i Përgjithshëm, i arrestuar më herët, për përfshirjen në rastin e inceneratorit të Tiranës. Ai dyshohet për “shkelje të barazisë në tendera”.
Masa më të lehta, “Detyrim për paraqitje”, janë dhënë ndaj katër drejtuesve dhe ish-drejtuesve në Bashki, Enton Punavija, drejtor i Drejtorisë së Transportit, Julian Zanaj, drejtor i Prokurimeve, Eglantina Zere e shoqërisë “Tirana Parking” dhe Deborah Keçi, titullare e Klubit Sportiv “Tirana”, ndaj një përgjegjësi sektori si dhe ndaj administratorit të kompanisë “5D Konstruksion”, Nestor Muhametllari.
Është pikërisht kjo kompani, që ka ngritur dyshime e rreth së cilës janë zhvilluar hetimet e Prokurorisë së posaçme. Sipas njoftimit zyrtar “janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Redi Molla dhe Maringlen Qato, janë ortakët e vërtetë dhe pronarët ‘de facto’ të shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k. Ata e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, si ortakë fiktiv në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë”.
Kompania, e cila ka ndryshuar disa herë dhe emër, rezulton të ketë përfituar “në kundërshtim me rregullat” një seri tenderesh nga agjencitë në varësi të Bashkisë së Tiranës, përfshirë shtatë raste nga “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë”, kur ajo drejtohej pikërisht nga Redi Molla, ndërsa Maringlen Qato ishte anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Disa procedura të tjera prokurimi, janë fituar direkt nga Bashkia e Tiranës. Në këtë rast, sipas Prokurorisë së Posaçme, është zbuluar përfshirja e Drejtorit të Përgjithshëm Tusha, i cili dyshohet se së bashku me disa anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave “e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik. Ekzistojnë dyshime të bazuara se Tusha, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k dhe ka favorizuar këtë shoqëri tregtare duke ditur se cilët persona kanë qenë zotëruesit indirekt të aksioneve të shoqërisë”.
Dy raste më flagrante janë procedurat e prokurimit nga shoqëria “Tirana Parking” dhe Klubi sportiv Tirana. Sipas Prokurorisë së Posaçme, titullarët e tyre ia kanë besuar vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender, vetë punonjësve të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.”. /ZëriiAmerikës