Tri vepra penale janë regjistruar gjatë së shtunës vetëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Siç bën të ditur Policia në raportin e saj 24-orësh, rreth orës 08:00, një person është ndaluar nën dyshimin se të njëjtit i është gjetur dhe konfiskuar një elektroshok gjatë kontrollit në valixhen e tij.
Rasti është regjistruar si “Armëmbajtje pa leje” dhe me vendim të prokurorit, ka shkuar në procedurë të rregullt.
Rasti i dytë ka ndodhur rreth orës 15:50, kur një person gjatë kontrollit dyshohet se ka prezantuar dokumente të falsifikuara.
“Dokumentet janë konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet më tej në raportin e Policisë.
Ndërsa rasti tjetër ka të bëjë me pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës, gjë që raportohet të ketë ndodhur rreth orës 15:50.
“Është kërkuar që të largohet nga aeroplani i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka penguar personelin e aeroplanit gjatë kryerjes së detyrës”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.