Kronikë

Arrest shtëpiak për punonjësen e pasaportave në Shqipëri, u merrte para shtetasve të Kosovës

Policia e Shtetit - Shqipëri

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Tiranë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për punonjësen pranë Zyrës së Shërbimit ndaj Qytetarëve në Drejtorinë Vendore të Policisë. Punonjësja E.H. është lënë në arrest shtëpiak, pasi nga hetimet ka rezultuar se ajo kishte kërkuar një shumë parash nga dy shqiptarë të Kosovës të cilët kishin aplikuar për të marrë shtetësinë shqiptare.

Sipas legjislacionit në fuqi, kjo kategori është e përjashtuar nga pagesa.

“Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi” për shtetasen E.H., me detyrë punonjëse civile pranë Zyrës së Shërbimit ndaj Qytetarëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Masa e sigurimit ndaj saj është marrë pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, nisur nga informacioni i marrë nga dy shtetas shqiptarë të Kosovës, të cilët kishin aplikuar për fitimin e shtetësisë shqiptare në kategorinë “Me origjinë” dhe kishin dorëzuar dokumentacionin përkatës pranë punonjëses E.H. Nga hetimet ka rezultuar se kjo punonjëse, duke shfrytëzuar atributet për shkak të funksionit organik, duke iu kërkuar dhe marrë atyre një shumë parash, duke ua argumentuar si pagesë për tarifën e shërbimit, ndërkohë që sipas legjislacionit në fuqi për përfitimin e shtetësisë, kjo kategori është e përjashtuar nga pagesa”, thuhet nga AMP në Tiranë.

Denoncimi i katër shtetasve nga Kosova, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës e cila ka hetuar punonjësit e policisë në Drejtorinë Vendore në Tiranë për ryshfet nga vlera prej 50 - 200 euro.

Për dy zyrtarë policorë në Shqipëri prokuroria ka kërkuar burgim, ndërsa katër të tjerë janë në hetim në gjendje të lirë për korrupsion me pasaporta.

Zyrtarët policorë në Tiranë i kanë zvarritur shtetasit nga Kosova duke përdorur forma presioni ku atyre u kërkohej në mënyrë jo zyrtare dhe jo të ligjshme para nga 50 - 200 euro, ku kjo tarifë në disa raste është paguar edhe në ambientet e brendshme të Policisë së Shtetit. Kamerat e sigurisë kanë filmuar këtë skemë.

Me 29 korrik të vitit 2020, Kuvendi I Shqipërisë ka miratuar ligjin: ” Për shtetësinë”.

Shtetësia shqiptare në bazë të ligjit nr. 113/2020 fitohet me lindje, origjinë, lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë, natyralizim dhe birësim.

Shtetasit nga Kosova e kanë fituar shtetësinë shqiptare kryesisht në sajë të origjinës dhe natyralizimit. Fitimi i shtetësisë me origjinë ndodh kur i huaji (në rastin konkret shtetas nga Kosova), nga të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë deri në tri shkallë te kërkuesit me të paralindurin.

Në bazë të ligjeve në fuqi në Shqipëri, pasaporta shqiptare apo shtetësia me natyralizim në sajë të origjinës merret pa ndonjë tarifë teksa tërhiqet pasaporta shqiptare e miratuar me dekretin e presidentit. Shtetasi që merr pasaportën vetëm vendos në firmë dhe I merren shenjat e gishtërinjve, para se pasaporta të bëhet pronë e tij.