Kronikë

Arrest shtëpiak ndaj personit që dyshohet se i shkaktoi lëndime vdekjeprurëse babait

Gjykata Themelore e Ferizajt

Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji të dyshuarit Sh.K. i cili dyshohet se e goditi babanë e tij dhe i shkaktoi lëndime si pasojë e të cilave ai humbi jetën. 

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar se më 19 maj në shtëpinë e tyre në Shtime, Sh.K. e kishte grushtuar babanë e tij D.K., pasi e pa atë duke e sulmuar mamanë. 

D.K. kishte rënë pa ndjenja në tokë. Ai ishte dërguar në QKMF Shtime e më pas në Emergjencë në Ferizaj e nga aty në QKUK. Në QKUK vdiq më 8 qershor. 

“I pandehuri ishte kthyer nga puna, pa një mosmarrëveshje të atë çastshme, që kishte pasur tani i ndjeri me nënën e të pandehurit S.T., të cilën ishte duke e sulmuar fizikisht i pandehuri ndërhynë duke e sulmuar tani të dëmtuarin – tani të ndjerin D.K., duke e goditur me grusht në fytyrë nga e cila goditje i dëmtuari rrëzohet dhe pëson lëndime trupore duke mbetur pa ndjenja i shtrirë në tokë, më pas të njëjtin e dërgojnë fillimisht në QKMF në Shtime, dhe më pas në Emergjencë në Ferizaj, prej aty e dërgojnë në QKUK në Prishtinë ku edhe ndërron jetë më datë 8 qershor 2024”, ka njoftuar Themelorja.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka vendosur t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak. 

“Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e vendosjes lidhur me masën e arrestit shtëpiak vlerëson se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, bazuar në rrethanat e këtij rasti nuk është arritur të justifikohet. Andaj, të pandehurit Sh.K., i është caktuar masa e arrestit shtëpiak me bindjen se e njëjta do të jetë masë e mjaftueshme për të arritur qëllimin ligjor të shqiptimit të masave të parapara për sigurimin e pranisë së të pandehurit. Kjo për faktin se sipas dispozitave të KPPRK-së, me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatoj për sigurinë e të pandehurit, gjykata detyrohet t`i merr parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete të siguroi që të mos zbatoj masë më të rëndë kur mjafton masa më e butë”, ka njoftuar gjykata.