Kronikë

Apeli lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Ardian Çapjan

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së pari për Ardian Çapjan dhe pesë të pandehurit e tjerë. Ata u shpallën fajtorë për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir, më 15 gusht të 2012-s.

Apeli la në fuqi vendimin e Sshkallës së parë duke dënuar me burgim të përjetshëm Ardian Çapjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun. Ndërsa nga 25 vjet burgim vendosën për Etjen Canin dhe Klajdi Dokolin. Bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi u dënua me 15 vjet burgim.

Zbardhja e ngjarjes erdhi pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ervis Bardhi, i cili rrëfeu se Ardian Çapja i kishte ofruar 50 mijë euro për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezirit.

I penduari rrëfeu se Gentianin e ka ekzekutuar me katër plumba ndërsa Nezirin e ka vrarë Olsi Leku. Për këtë ngjarje Ardian dhe Florenc Çapja paraqitën si alibi se një natë para vrasjes kishin qenë në Maqedoninë e Veriut.

Dyshohet se vrasja e Gentian Beqirit u porosit për shkak se ai po gjykohej për vrasjen e Sokol Çapjas në vitin 2005.

Akuzat e SPAK dhe dëshmia e të penduarit janë kundërshtuar gjatë procesit nga Ardian Çapja, i cili ka deklaruar se është telefonuar nga një politikan me emrin Taulant, por këto përgjime sipas tij janë asgjësuar me vendim gjykate.

Florenc Çapja është dënuar në mungesë, pasi ka ikur drejt Dubait pak para se të lëshohej fletëarresti për të.