Kronikë

Anulohet dënimi i Naser Pajazitajt, rasti kthehet për herën e katërt në rigjykim

Për herë të katërt është kthyer në rivendosje rasti i akuzimit të Naser Pajazitajt, për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Siç ka njoftuar Gjykata e Apelit të martën, tash është anuluar dënimi me burgim të përjetshëm që ia dha Gjykata Themelore e Ferizajt muaj më parë.

I akuzuari do të mbetet në paraburgim. Ndërkaq në arsyetim, Apeli ka thënë se Themelorja e Ferizajt ka pasur mbështetje në prova të papranueshme. Kjo gjykatë e pati dënuar me burgim të përjetshëm Pajazitajn, në fund të majit.

Rasti ka pasur kthime të tilla edhe në tri raste më herët.

Në mars të vitit 2018, me aktgjykimin e Themelores në Pejë, Naser Pajazitaj ishte liruar nga akuzat, por më pas Apeli e kishte kthyer në rigjykim.

Më 2019, në rigjykim ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Dënimi ishte vërtetuar edhe nga Apeli në korrik të 2019-s, por Supremja kishte prishur të dyja aktgjykimet.

Pas rikthimit të serishëm në rigjykim, lënda iu delegua Themelores në Ferizaj.

Naser Pajazitaj akuzohet se në nëntor të vitit 2015, e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn në bjeshkët e Strellcit dhe se më pas e kishte mbuluar me drunj e ka ikur nga vendi i ngjarjes.