Andi Pajaziti i akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit në “Bon Vivant”, është liruar nga akuza për “vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, të Kastriot Ramadanit.
Gjyqtari Eroll Gashi, ka konstatuar se ai ka bërë mbrojtje të nevojshme.
Pajaziti është dënuar me 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.
"Lirohet nga ky dispozitiv i aktakuzës sepse ka rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, përkatësisht veprimet e të pandehurit janë në kuadër të mbrojtjes së nevojshme. Në bazë të nenit 364 është fajtor si në dispozitivin e dytë sepse më datë, vend dhe kohë si në dispozitivin e parë i pandehuri Andi Pajaziti ka mbajtur në pronësi, në shkelje me ligjit të zbatueshëm për armët, armën e tipit 'Smith' të kalibrit 9 milimetërsh me të cilën e ka goditur të dëmtuarin. Me këtë ka kryer veprën penale 'mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve' nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës", ka deklaruar Gashi.
Përshkrimi që ia ka dhënë gjykata rastit është se fillimisht i ndjeri bashkë me Dukagjin Lekajn (në arrati) i ka shkuar te tavolina e Andi Pajazitit. Sigurimi Hysen Gecaj, siç konstatoi gjykata, shkoi për ta qetësuar situatën dhe e mbajti për dore Lekajn që është i dyshuar në këtë rast. I ndjeri Ramadani sipas aktgjykimit të shpallur para vdekjes e ka goditur me shishe Pajazitin në kokë. E siç ka theksuar gjyqtari Eroll Gashi në tronditje të rëndë mendore dhe "pa fajin e tij" Pajaziti ka shtënë në drejtim të viktimës. Edhe viktima ka shtënë në drejtim të Pajazitit duke e goditur në dorë në momentet kritike.
Gjykata gjithashtu ka vendosur që Pajazitit t’i ndërpritet masa e paraburgimit.
VIDEO:
Pajaziti në seancën gjyqësore të mbajtur në korrik të vitit të kaluar ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen e cila ka ndodhur më 4 gusht të vitit 2023. Ai kishte thënë se veprën e ka kryer në vetëmbrojtje. Ndërsa, për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar fajtor.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 pati njoftuar se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona ishin lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.