Alarmi për bombë në aeroplanin e linjës Romë-Prishtinë në orët e vona të së enjtes ka rezultuar të jetë i rrejshëm, kanë deklaruar zyrtarë policorë të premten, të cilët thanë se është kontrolluar aeroplani si dhe të gjitha bagazhet e udhëtarëve.
Kërcënimi për bombë ishte dhënë gjatë kohës sa aeroplani ka qenë në fluturim duke krijuar shqetësim tek udhëtarët, mirëpo zyrtarët policorë thanë se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe tashmë gjithçka është në rregull.
“Sonte rreth orës 22:00 kemi pranuar një informacion për një kërcënim me bombë në fluturimin nga Roma për Prishtinë. Menjëherë jemi përgjigjur me të gjitha njësitet relevante. Pasagjerët janë evakuuar dhe janë kontrolluar avioni, bagazhet, nuk ka dalë asgjë. Është alarm fals. Shumë shpejtë pritet dorëzimi bagazhit te udhëtarët, nuk ka asgjë”, ka thënë shefi i Policisë së Aeroportit, Shpend Maliqi.
Sipas tij në aeroplan ndodheshin rreth 200 udhëtarë.
Për shkak të këtij alarmi nuk ka pasur vonesa në fluturimet e tjera ndërsa tashmë Aeroporti i Prishtinës i është kthyer normalitetit.
Javëve të fundit ka pasur disa raste të kërcënimit me bombë edhe në ndërtesën e Rektoratit të Prishtinës, të cilat në të gjitha rastet kanë rezultuar të rrejshme.