Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tri infermiereve për sulmin ndaj të moshuarës në shtëpinë e pleqve “Orenda”, në Pejë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë se A.P., A.R., dhe R.K., në bashkëkryerje, ndaj viktimës se ndjeshme kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 3, nën-paragrafi 3.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Sipas aktakuzë, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar ‘Orenda’, me dashje dhe në bashkëkryerje përdorin forcën ndaj të moshuarës e cila ishte e vendosur në ketë strehimore, në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale, e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë. Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit”, thuhet në njoftim.
Infermieret ishin arrestuar më 2 nëntor të vitit 2022, pas publikimit të një videoje ku shihej njëra nga to duke e sulmuar një të moshuar që ishte banore e shtëpisë “Orenda”. Atyre u ishte caktuar edhe masa e paraburgimit. Por më 25 nëntor të vitit të kaluar Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur t’ua ndërpresë paraburgimin dhe ato të mbroheshin në liri.