Kronikë

Aktakuzë ndaj personit që u zu duke kontrabanduar shtetas të Bangladeshit

Prizren - Prokuroria

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale Q.K. për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “kontrabandimi me migrantë”. 

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ai ishte zënë në fshatin Vërmicë, duke kontrabanduar katër shtetas të Bangladeshit. 

Sipas aktakuzës, me datë 10.12.2024, në ora 22:25 minuta, në fshatin Vërmicë – Komuna e Prizrenit – saktësisht në daljen nga autostrada ‘Ibrahim Rugova’ për në fshatin Vërmicë, merret me kontrabandim të migrantëve, në atë mënyrë që, derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tij, ndalohet nga ana e Policisë Kufitare, i cili kishte qenë duke i bartur katër emigrantë (shtetas të Bangladeshit), për të cilët ishte pajtuar që për një shumë parash në vlerë prej 150 € t’i dërgojë deri në Gjilan, edhe pse kishte qenë fare mirë në dijeni se të njëjtit ishin futur ilegalisht në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, thuhet se i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.