Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngrehur aktakuzë kundër të pandehurit E.Ç. për veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, E.Ç., nga data e pacaktuar e gjerë me datë 30.06.2023, në fshatin Devë, Gjakovë, në bashkëveprim me të dënuarin J.B., pa autorizim dhe me qëllim shitje shpërndajnë, shesin, transportojnë substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë.
Në aktakuzë thuhet se E.Ç., koordinoi veprimet me të dënuarin J.B., ashtu që i njëjti transportoi narkotikun nga Shqipëria në Kosovë përmes rrugëve malore dhe e njëjta substancë u deponua në shtëpinë e të dënuarit J.B., e ku nga kjo shtëpi lehtë kalohet në territorin e Republikës së Shqipërisë në këmbë për rreth 40 minuta. Më pas, i pandehuri E.Ç., i gjeti dhe kontaktoi blerësit e mundshëm të narkotikut, kontaktoi me të dënuarin J.B., duke u siguruar se a ndodhet në shtëpi, pasi blerësi do të shkojë për të marrë substancë narkotike, e pastaj duke e udhëzuar të dënuarin J.B., që të shkojë t`i marr blerësit në vende të caktuara nga i pandehuri E.Ç., dhe t`i dërgojë në shtëpinë e tij, si dhe duke e udhëzuar për sasinë e substancës narkotike që do t`iu jap blerësve.
Gjatë bastisjes pas shtëpisë së të dënuarit J.B, janë gjetur dy çanta me substanca narkotike, njëra me 17 paketime të mbushura me kanabis dhe tjetra me 15 paketime të mbushura po ashtu kanabis, në peshë të përgjithshme 32 kg e 092 gram, substanca kjo e transportuar nga E.Ç., nga Shqipëria.
J.B. ishte gjykuar dhe dënuar, por E.Ç. ka qenë në arrati deri më 31 dhjetor 2024.