Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave që kanë mashtruar me subvencione dhe kanë shkaktuar dëm në buxhetin e Kosovës në vlerë prej një milion euro.
Aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve S.S. dhe A.F.
Sipas aktakuzës, i pandehuri S.S., gjatë vitit 2020, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, në cilësinë e pronarit të kompanisë, ka paraqitur të dhëna të pasakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, duke falsifikuar dokumentacionin kinse ka lidhur kontrata me disa persona dhe me të njëjtat ka aplikuar për projektin “Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore”, me ç’ rast ka përfituar grantin në vlerë totale të projektit të financimit 398.810 euro.
“Po ashtu, të pandehurit S.S. dhe S.F., në periudhën 2018-2021, në bashkëkryerje, për qëllime të njëjta, kanë bërë mashtrim me subvencione, duke paraqitur të dhëna të pa sakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes hartimit të dokumentacionit të falsifikuar për plotësim të kritereve dhe poentim sa më të lartë, më konkretisht falsifikimit të kontratave kinse për furnizim të lëndës së parë, ashtu që me të njëjtat kanë aplikuar për përfitimin e grantëve për projektin ‘Përpunimi i pemëve dhe perimeve’ dhe mbi bazën e dokumenteve fiktive kanë arritur ta përfitojnë shumën prej 398,184 euro”, thuhet më tej në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë vitit 2020, të pandehurit me veprime të ngjashme kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme grantin në shumën prej 399,996 euro.
Prokurori i Shtetit ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.