Kronikë

Aktakuzë ndaj dy biznesmenëve, dyshohet se tentuan të përfitojnë ilegalisht 2.8 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosoves

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy pronarëve të kompanive të përfshira në përpjekjen për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën rreth 2.8 milionë euro nga rimbursimi i TVSH-së, përmes faturave fiktive.

Kjo u bë e ditur nga Administrata Tatimore e Kosovës, e cila ka thënë se me këtë vendim, gjithashtu janë pushuar hetimet ndaj 13 zyrtarëve të ATK-së. 

Sipas ATK-së, përfshirja në këtë skemë mashtrimi mund të ketë qenë më e gjerë, megjithatë është arritur të parandalohet dëm financiar rreth 2.8 milionë euro ndaj buxhetit të shtetit. 

“Edhe pse ATK-ja vlerëson se përfshirja në këtë skemë mashtrimi mund të ketë qenë më e gjerë se dy personat e akuzuar, ky aktvendim konfirmon se ATK ka arritur të parandalojë një dëm financiar rreth 2.8 milionë euro ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.