Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për veprat penale “mashtrim” dhe “ndihmë në kryerje të veprës penale të ‘mashtrimit’”.
N.L. akuzohet se gjatë periudhës kohore 2020-2022, duke u premtuar viktimave se do t’u sigurojë kontrata pune në bazat ushtarake amerikane në Irak, Afganistan e Poloni, u mori 3000 deri 6000 euro. Ai u kërkonte këto para “për sigurimin e kontratave” dhe këto para i merrte kesh apo nëpërmjet transfereve bankare.
Ai në total kishte mashtruar viktimat në vlerë deri 80 mijë euro. Akuza të njëjta rëndojnë edhe ndaj të dyshuarit K.H.
Ndërsa i dyshuari K.L. akuzohet se me dashje e ka ndihmuar bashkëshortin e saj N.L. në kryerje të veprës penale të mashtrimit, ku në momentin kur bashkëshorti i saj nuk gjendej në Kosovë ajo pranonte të hollat nga viktimat dhe i depononte ato në bankë apo ia dërgonte bashkëshortit nëpërmjet Western Union.
“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.