Kronikë

Aktakuzë ndaj 11 personave për pjesëmarrje ose organizimi të grupit kriminal

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamentin Special, kundër njëmbëdhjetë (11) të pandehurve me inicialet L.B., B.S., A.K., V.B., A.P., K.K., F.C., A.M., G.I., D.R., dhe E.C.

Prokuroria Speciale njofton se aktakuza e ngritur kundër njëmbëdhjetë (11) të pandehurve ... është ngritur për veprat penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Repulbikës së Kosovës (KPRK) lidhur me veprat penale , ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ nga neni 356 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprën penale ‘Detyrimi’ nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu thuhet se ndaj të pandehurit A.P., është ngritur aktakuzë edhe për veprën penale “Deklarimet e rreme”, nga neni 384 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. Ndërkaq, ndaj të pandehurit L.B. thuhet se është ngritur aktakuzë edhe për shkak të veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 paragrafi 1 të KPRK-së.

“Rasti ka të bëjë veprat penale të kryera gjatë muajit qershor të vitit 2022, në Prishtinë dhe në Mitrovicë, ku kemi pas hedhje të mjeteve shpërthyese – granatave të dorës në lokalet e ‘Riza hair Sallon’ në Prishtinë dhe në lokalin ‘Missini’, në Mitrovicë, ku pas një pune intensive hetimore të Prokurorisë Speciale, është arritur deri tek zbulimi i kryerësve të veprave penale të lartcekura, si dhe, arrestimi i tyre”, thuhet në njoftim.