Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Gazmend Muhaxheri, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri G.M. si person përgjegjës, më datë 24 mars 2016, në cilësinë e Kryetarit të Komunës, ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës në atë mënyrë që, pasi Gjykata e lartcekur ka marr Aktvendim me të cilin ka refuzuar të pa-themeltë ankesën e të autorizuarit të debitorit Komuna e Pejës, me Kryetar G.M., ndërsa Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë-Departamenti i Përgjithshëm e ka vërtetuar.
“I pandehuri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë, ndonëse ka qenë i obliguar që vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës ta respektojë në tërësi, duke e kthyer të dëmtuarin H.S. në vendin e punës, Drejtor i Auditimit të Brendshëm me të gjitha të drejtat dhe detyrimet e duke ia paguar 50% të pagës nga dita e pezullimit deri në zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Me këto veprime, sipas PTHP-së, i akuzuari ka kryer veprën penale “mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore” nga neni 402 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.